Pas afrimit të serbit Dajan Lazaroviç, drejtuesit e Apolonisë kanë bërë goditjen e radhës. Ata kanë afruar 21- vjeçarin Bruno Hoxha, i cili në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Kukësit, por pa gjetur vend në formacion. Pas një testimi të gjatë, mesfushori e bindi trajnerin Mërgjyshi, i cili dha OK-in për të veshur fanellën bardhejeshile. Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori teknik i fierakëve, Fjodor Xhafa, por edhe vetë futbollisti, i cili, menjëherë pas firmës, ka pohuar:
“U testova prej një periudhe të gjatë dhe arrita t’i bind për vlerat e mia drejtuesit fierakë. Apolonia është një klub profesionist, me drejtues që shikojnë jo vetëm për sot, por edhe të ardhmen. Fierakët kanë në përbërje një skuadër të mirë, ku janë gërshetuar më së miri lojtarët me përvojë si Dimo, Miço, Nako, Prifti me të rinjtë si Fili, Uzuni, Rajkoviç, Bala etj. Të gjithë bashkë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin dhe të përmbushim misionin: rikthimin e Apolonisë në Superiore”, ka përfunduar Hoxha.
Merkato
Sa i përket merkatos, ajo vazhdon të jetë e hapur. Drejtori teknik i Apolonisë, Fjodor Xhafa, në një bisedë për “Panorama Sport” ka pohuar: “Neve na duhet edhe një sulmues me eksperiencë. Ne jemi drejt fundit të bisedimeve me një lojtar ofensiv, por emrin e tij nuk mund ta bëj të ditur për momentin. Mirëpo u siguroj se në 2-3 ditët e para të javës së ardhshme ekipi do të plotësohet edhe me lojtarin sulmues. Ardhja e tij do të bëjë që Apolonia të marrë formën e saj të plotë. Mirëpo, edhe pas afrimit të sulmuesit, merkato do të vazhdojë të jetë e hapur deri në minutat e fundit, pasi synojmë të afrojmë dhe ndonjë tjetër lojtar cilësor si nga tregu vendës, ashtu edhe nga ai i huaj. Tashmë mund të themi se kemi një ekip të kompletuar, që do të jetë i suksesshëm sezonin e ri dhe kalimtar në të Parën. Vendi ynë është Superiorja”, përfundoi drejtori teknik i Apolonisë, Xhafa.
Post a Comment